Një numër gjithmonë e më i madh zërash janë duke artikuluar se sezoni po shkon drejt dështimit, teksa shpesh në rrjetet sociale qarkullojnë edhe pamjet e plazheve bosh.
Por qeveria thotë se Shqipëria po përjeton një bum turistik, që sipas saj dëshmohet nga statistikat e hyrjeve të të huajve në pikat kufitare të vendit.Si qëndron e vërteta?
Kapitali konsultoi statistikat e platformës booking për rezervimet e periudhës 1 deri në 15 gusht, që përkojnë me pikun e sezonit turistik në Shqipëri dhe vendet fqinje konkurrentë në fushën e turizmit.
Shqipëria, sipas të dhënave zyrtare nga booking, për periudhën nga 1-15 gusht Shqipëria ka gjithsej rreth 18 mijë prona të listuara në booking.
Nga këto aktualisht janë të lira rreth 4.782 prona, të cilat janë ende të disponueshme për t’u rezervuar.
Për të njëjtën periudhë rezulton se norma e padisponueshmërisë në rang kombëtar është 73 për qind.
Kjo do të thotë se 73 për qind e pronave të listuara në booking nga ne shqiptarët, janë të rezervuara për periudhën 1 me 15 gusht.
Fqinjët:
Sipas të dhënave të booking, për periudhën 1 me 15 gusht, Greqia ka të rezervuara 89 për qind të pronave që qytetarët grekë kanë listuar në booking.
Mali i Zi për periudhën 1-15 ka aktualisht në rang kombëtar 83 për qind të pronave të listuara, të rezervuara.
Italia, fqinji perëndimor i Shqipërisë rezulton se ka një normë rezervimesh prej 86 për qind për periudhën 1 me 15 gusht.
Maqedonia e Veriut nuk hyn tek destinacionet më të nxehta të turizmit. Vendit i mungon vija bregdetare, por ai konkurron në treg me disa atraksione turistike liqenore. Sipas të dhënave nga booking, Maqedonia e Veriut rezulton të ketë një normë rezervimi prej 79 për qind në periudhën 1 me 15 gusht.
Kroacia, kampioni i padiskutueshëm i turizmit në vendet fqinje ka një normë rezervimi prej 96 për qind të pronave të listuara për periudhën 1-15 gusht.
Kroacia është një vend, i cili kohët e fundit po ndërmerr politika për të dekurajuar flukset turistike për shkak të problemeve me mbishfrytëzimin e burimeve, por edhe efekteve anësore që turizmi shkakton për banorët lokalë.
Të paktën sipas platformës booking, Kroacia rezulton e para dhe Shqipëria mbetet e fundit në rajon për pronat e rezervuara nga 1 në 15 gusht.
REZERVIMET
Kroacia 96 përqind
Greqia 89 përqind
Italia 86 përqind
Mali i Zi 83 përqind
Maqedonia 79 përqind
Shqipëria 73 përqind
n.s. / dita