U dhunua për vdekje nga 29-vjeçari, motra e Egli Progës: Është vrasje e kryer në bashkëpunim, ambulanca u vonua gjysmë ore

E motra e 42-vjeçarit, Egli Progës, ka rrëfyer momentin kur mori vesh vrasjen e vëllait të saj, i cili u dhunua për vdekje nga 29-vjeçari Denis Meçe, ngjarje e ndodhur në lagjen nr.1 të qytetit të Pogradecit pasditen e së shtunës (10 Gusht).

Jonida Proga është shprehur se kur shkuan në urgjencë e ka parë vëllain e saj të shtrirë dhe të masakruar, ndërsa mjekët po bënin tentativat e fundit për ta rikthyer në jetë.


Ajo u shpreh se gjatë bisedës me policët i thanë se i vëllai ishte rrëzuar dhe për pasojë kishte humbur jetën, por shtoi se “dallohej qartazi që ishte dhunuar, por nuk thuhej nga askush”.

“Më ka marrë djali tezes në telefon dhe më tha urgjent në spital. Vrapoj për atje, futem te urgjenca, shoh Eglin të shtrirë, të masakruar. Mjekët ishin duke i dhënë ndihmën e fundit, ne se pranonim dot që kishte ndodhur derisa mjekët thanë që t’i hiqnin pajisjet.

Në shok kam dalë jashtë, pyes policët çfarë ka ndodhur dhe më thonë është rrëzuar. Kanë folur për pjesën që është rrëzuar e deri që nuk e dimë, por jo të thoshin kemi lëshuar njerëz, po mbledhim prova, po marrim kamerat, po pyesim dëshmitarë. Policia ka lëvizur shumë vonë. Do të thotë që kanë qenë në lëvizje nga të tjerët për t’u sjellë kështu. Akoma asnjë gjë, informacioni vetëm është marrë nga mediat.

Mirë që s’i lexova që ka vdekur në gjendje të dehur nga rrëzimi, se nuk e di si do ta përballoja. Dallohej qartazi që ishte dhunuar, por nuk thuhej nga askush që ishte i dhunuar.

E kanë vrarë, e kanë masakruar në mes të rrugës në tufë, e kanë braktisur, e kanë lënë. Ambulanca nuk vinte, u vonua gjysmë ore që Pogradeci për 2 minuta arrin. Policia nuk pranonte të lëvizte trupin pa ardhur ambulanca, mund të ishte gjallë aty, mund ta shpëtonin.