Ata janë rekrutuar si punëtorë në “fermat” ilegale të kanabisit të ngritura në shtëpi me qira ose ndërtesa industriale të pashfrytëzuara për të prodhuar drogë deri në 2 milionë paund në vetëm 12 javë.
Shkalla e prodhimit të kanabisit është zbuluar nga një hetim i fshehtë në një kanal sekret në Telegram. Përdoret nga më shumë se 700 shqiptarë për të shkëmbyer informacione mbi operacionet e tyre të kanabisit.Bisedat midis anëtarëve të grupit përqendrohen në kimikatet më të mira për rritjen e bimëve, mënyrën më efektive për të korrur bimët e kanabisit, ekonominë e sigurimit të pronave për prodhimin e drogës dhe pse harqet janë më të mira se armët për të mbrojtur të korrat e tyre nga bandat rivale.
Anëtarët e grupit rrëfejnë grabitjet ku punëtorëve të “fermës” së kanabisit u janë prerë gishtat dhe pronarët kanë kërkuar pjesë të fitimeve.
Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) tha se profesionalizmi i pamëshirshëm që kanë sjellë shqiptarët në kultivimin e kanabisit, u ka mundësuar atyre të zhvendosin vietnamezët si ofruesit kryesorë vendas të drogës në Britani.
Bandat shqiptare të specializuara më parë për kokainën u fokusuan në kanabis sepse ishte “me rrezik shumë shumë të ulët”.
Ajo rezulton me fitim të mirë për shkak të kërkesës së lartë, pasi britanikët konsumojnë 240 ton drogë, me vlerë 2.4 miliardë paund në vit – dhe nuk kërkon transport të rrezikshëm ndërkufitar, sepse është prodhim vendas, sipas NCA.
Rritja e numrit të shqiptarëve që kalojnë Kanalin në vitin 2022, kur 12,685 arritën në Britaninë e Madhe me varka të vogla, ka siguruar furnizimin e gatshëm të punëtorëve të paligjshëm, të aftë në teknologjinë hidroponike që kërkohet për të rritur bimët në dhomat e errëta të shtëpive.
Kjo ka çuar në rritjen e fokusit të policisë në prodhimin vendas të kanabisit. Rreth 29 shqiptarë u dënuan vetëm në korrik për prodhim të paligjshëm të drogës. Kjo u pasua nga 24 shqiptarë të tjerë që u paraqitën para gjykatave në gusht.
Rreth 101 emigrantë të paligjshëm shqiptarë u dënuan me më shumë se 300 vjet burg në tre muaj në fund të vitit të kaluar. Tre të katërtat e tyre u dënuan për vepra të lidhura me prodhimin e kanabisit në të gjithë Anglinë dhe Uellsin në ferma kanabisi.
Shumë nga emigrantët e paligjshëm u rekrutuan nga bandat pasi një goditje e qeverisë ndaj punës së ekonomisë së zezë e bëri të vështirë për ta gjetjen e punës.
Gjobat për bosët që punësojnë emigrantë të paligjshëm janë trefishuar deri në 60,000 paund për punëtor, për ta bërë praktikën aq të dëmshme ekonomikisht, saqë mund t’i “lënë jashtë biznesit”.