Ikim ku të duash, një ditë e lë punën”, infermieri i Urgjencës në Pogradec i “fut duart” pacientes

Një e re 24-vjeçare nga Pogradeci denoncon në “Stop” një infermier të Urgjencës së Pogradecit, që sipas saj, e ka ngacmuar seksualisht.
E reja ka shkuar në Spitalin e Pogradecit, për të marrë ndihmë, pasi vuan nga një sëmundje e rrallë dhe atë ditë kishte marrje fryme dhe rrahje të shpeshta zemre.

Pasi u ekzaminua nga Mjeku i Urgjencës, vajza u orientua, për të bërë një elektrokardiogramë.

Në këto momente, infermieri Metjan Muço rreth të 30-ave, fillon ta ngacmojë me fjalë dhe në pjesët intime.

“Mendova që të bëj një denoncim për një infermier Metjan Muço. Nuk ndihesha mirë një ditë. Kisha vështirësi në frymëmarrje. Shkoj në spital me një të afërmen time. Doktori bëri ekzaminimin dhe tha ka nevojë për një elektrokardiogramë. Cakton mjeku një infermier. Unë e di që elektrokardiograma bëhet në krahun e djathtë. Filloi të vendoste elektrodat. Kur po i vendoste tek pjesa e toraksit filloi ngacmimet te pjesa e gjoksit, sa të bukura… shumë fjalë. Më falni se nuk ndihem mirë”, tha denoncuesja.

Vajza e tronditur është çuar dhe ka ikur nga ambientet e Spitalit, por ngjarjen e ka mbajtur të fshehtë për të shmangur ndonjë konflikt të mundshëm.

“Atje kam pësuar një traumë shumë të fortë që nga ajo ditë për Zotin. Unë nuk e denoncova. Thjesht e mbajta në shpirtin tim. As kushërirës nuk munda t’i tregoja të gjithë të vërtetën. Kam një baba e kam të sëmurë, kam një nënë, kam vëlla, kam dhe një të fejuar që po ta marrin vesh ata, jo vetëm këta të katërt, do e bëjnë copa-copa. Prandaj vendosa që të mos bëj zhurmë pasi kam vëlla, kam të fejuar. Nuk di çfarë të them, dridhem në të gjithë anët”, tregon denoncuesja.