Nis emisioni “Për Shqiptarët” me historinë e trishtë të familjes Bunga

Për Shqiptarët” nisi me historinë e trishtë të familjes Bunga.

Kilometra larg Tiranës, në një prej fshatrave të Burrelit, Veli dhe Fërdëze Bunga, ndërtuan familjen e tyre me 3 fëmijë, 2 djem dhe 1 vajzë. Një prej tyre është Hazizi që është sot me ne, djali i vogël i familjes.

Kur Hazizi ishte 5 vjeç familja zhvendoset në qytet, me shpresën se Burreli do të sillte një të ardhme më të mirë për fëmijët. Prindërit punonin me ç’të mundnin, por edhe punët në fshat nuk i lanë pas dore…

Hazizi nisi punë si shofer, sapo mbushi 18 vjeç. Në një prej ditëve që shkonte në punë, dikush i bën një telefonatë, duke I thënë të kthehej sa më shpejt. Me ankthin se çfarë po ndodhte, e me distancën që i dukej tani shumë më e madhe, Hazizi arrin në Burrel dhe gjen të bërë shkrumb e hi shtëpinë e tyre. Gjithë puna e një jetë e prindërve por edhe e fëmijëve, u shemb brenda pak orësh. Në këtë dhimbje gjetën ngushëllimin që të paktën kishin njëri-tjetrin dhe askush nuk u dëmtua.

Kjo ngjarje solli në familje ndjesinë e parë të humbjes, dhe siç thotë Hazizi tashmë dera e vuajtjeve u hap.

Asokohe gati 15 vite më parë, i dërgojnë në një banesë shtetërore, e ngjashme me një konvikt. Jetonin edhe familje të tjera, ku korridoret dhe tualetet ishin të përbashkëta, por s’kishte vend për ankesa. Të paktën e kishin një çati mbi kokë.

Me vitet, motra dhe vëllai u martuan dhe me prindërit ngeli vetëm Hazizi.

Hazizi kishte nisur të transportonte mobilje në fshatra të ndryshëm të Burrelit. E në një prej ditëve sytë i panë Florinën. Një vajzë e bukur, që i mori menjëherë zemrën.

Florina erdhi nuse në familjen Bunga, ku gjeti shumë varfëri, por edhe shumë ngrohtësi.

Muret e lagështa të asaj shtëpie të vjetër u ngrohën nga të qeshurat e fëmijëve që çifti i ri solli në jetë. E para lindi Ajla, që sot është 10 vjeç, më pas Amelja që sot është 7, 2 vite më vonë djali Ani dhe në këtë vit e vogla e familjes Alea.